Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në Korçë ku Fridman Xhaferraj u gjet i pajetë në rezervuarin e Gjançit. Mjekësia ligjore ka zbuluar se para se të vritej dhe të hidhej në rezervuarin e Gjançit i riu nga Lushnja është masakruar me sende të forta në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, gjë e cila i ka shkaktuar vdekjen. Ekspertët mjekoligjorë kanë vërejtur se Xhaferraj kishte goditje të forta në kokë dhe pjesë të tjerë të trupit dhe kjo sjell dyshimet se ai është torturuar dhe më pas është vrarë me goditje pas kokës.
Në lidhje me këtë ngjarje policia ka arritur të identifikojë dhe të shpallë në kërkim autorët të cilët janë shtetasit me iniciale L. S., si dhe një 26-vjeçar me iniciale K. B.
Viktima, Fridman Xhaferraj, 25 vjeç, njihet si një person me precedent penal ndërsa duhet të ishte në shtëpi, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pas akuzave për djegien e 3 makinave në një qendër tregtare në Lushnjë.
