Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka marrë pjesë në konferencën “Ndërtimi i Besimit Përmes Dialogut, në Forumin e Prespës, e cila u zhvillua sot në Maqedoninë e Veriut. Në fjalën e saj, Xhaçka u shpreh se tani ka ardhur koha për një ndryshim në mënyrën e qasjes ndaj Ballkanit Perëndimor. Ajo shtoi më tej se BE sot nuk ka një qasje strategjike ndaj rajonit, por shpresojmë se pas dështimit do të ndryshojë për ti dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare
Olta Xhaçka :“Rajoni ynë ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm falë ëndrrës së përbashkët evropiane dhe falë mbështetjes së BE. Por siç tregoi edhe Këshilli i 22 qershorit, BE sot nuk ka një qasje strategjike ndaj rajonit, çka shpresojme që do të ndryshojë pas dështimit për t’i dhënë Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Por kjo s’është thjesht një çështje e BE-së. Edhe ne vetë duhet të punojmë më shumë për të rritur rëndësinë strategjike të rajonit tonë dhe për të pasur një qasje më proaktive ndaj integrimit, jo duke pritur vetëm nga BE, por duke punuar edhe ne, në nivel rajonal për të ndërtuar Evropën në rajonin tonë e për të krijuar një hapësirë të përbashkët mundësish”, u shpreh ministrja Olta Xhaçka.
Në Forumin e Prespës për Dialog morën pjesë kryediplomatë të rajonit, si dhe zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.
