Pas hapjes së pikave të kalimit kufitar të Kapshticës dhe Kakavijës, gjatë kësaj fundjave, ka pasur një rritje të numrit të hyrje-daljeve drejt shtetit grek dhe anasjelltas. Përgjatë 2 ditëve nga pika e kalimit të Kapshticës kanë hyrë dhe kanë dalë rreth 3300 shtetas te huaj dhe shqiptarë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit sipas drejtorisë vendore te kufirit dhe migracionit nga kjo pikë kanë hyrë 1247 dhe kanë dalë 814 shtetas. Ndërkohë që dyndje lëvizjesh ka pasur në orët e para të kësaj të diele edhe në Kakavijë.
Si vitin e shkuar, edhe këtë herë në Kakavijë situata duket e njëjtë. Radhë të gjatë qytetarësh janë krijuar. Përveç ngadalësimit të procedurave për shkak të rregullave anti-covid, një shkak tjetër është edhe puna me një sportel e palës greke si dhe heqja e fashës së orareve e kuotave që ishin vendosur për kufizimin e përhapjes së pandemisë. Deri në mesditë, në kufi kanë kaluar më shumë se 3 mijë shtetas.
Qafë Thanë ,numri i hyrje-daljeve është shumë herë më i lartë, për shkak edhe të lëvizjeve të lira që kjo pikë ka ofruar përgjatë këtyre muajve.Janë 14400 shtetas të huaj dhe shqiptarë që kanë kaluar përmes kësaj pike drejt Maqedonisë se Veriut e po ashtu drejt Shqipërisë për një fundjavë në bregdetet tona. Për të përballuar fluksin në të dyja pikat e kalimit të juglindjes do të punohet me kapacitet të plotë.
