Nga Ilia V. Ballauri
Nxjerrë nga: Korça Encyclopedica 11/ 9
Shumë vite më parë, në qytetin tonë jepeshin biçikleta me qira.
Ato i jepnin biçikletarët në dyqanet e tyre (pra në biçikletaritë) të cilët, krahas riparimeve që u bënin biçikletave të klientëve, kishin në dispozicion edhe disa biçikleta të vetat që i mbanin vazhdimisht në dyqan, për këtë punë, pra për t’i lëshuar me qira.
Biçikletat në fjalë ishin kryesisht të mëdha, por kish edhe disa të vogla, në gjëndje të mirë ose, të keqpërdorura dhe rrallëherë edhe të reja. Ato ishin kryesisht të tipit “mashkull” por kish edhe “femra”, ishin të markave nga më të ndryshmet si: “Zis”, “Mesko”, “Diamant”, “Robusto”, “Pioner”, etj, etj.
Çmimi për një orë me qira, ishte 40 lek të vjetra për biçikletat e reja dhe 30 lek të vjetra për ato të përdorurat (sqarojmë se: një pllakë, pra 2kg bukë në atë kohë ishte po ashtu 40 lek).
Të tilla dyqane që jepnin biçikleta me qira, në Korçën e para 50 – 60 vjetëve, kish katër a pesë në qëndër të qytetit, sidomos në hyrje të pazarit të dikurshëm, por kish edhe ndonjë tjetër gjetkë, si nga Mitropolia, nga zona e quajtur e Sportit, në hyrje të Radanecit, etj, etj.
Biçikleta me qira merrnin zakonisht djemtë dhe shumë rrallë vajzat. Djemtë e moshës rreth 14 a 15 vjet, zakonisht dy ose tre shokë nga mëhalla, gjithë qejf, me pak lek në dorë, merrnin për një gjysmë ore ose edhe për një çerek ore, biçikletën me qira.
Ndodhte shpesh që biçikletarët edhe pasi i parapaguanim, për të patur garanci se biçikleta nuk do tu vonohej dhe nuk do tu dëmtohej, na detyronin që tu linim në dyqan peng diçka, si p.sh. një bluzë, një xhaketë, etj.
Kështu fëmijët pasi merrnin gjithë gaz biçikletën, bënin xhiro në bulevardet dhe rrugët për rreth dyqanit. Njëri e ngiste dhe tjetri e ndiqte nga pas dhe priste, “t’ia linte një herë”. Kur dikush nuk dinte ta ngiste mirë, shokët “e mbanin nga shala” por, kish edhe nga ata që e ngisnin shumë mirë dhe që gjithë qejf dhe mburje e “lëshonin me një dorë”, ose edhe “pa duar”.
Së fundi e theksoj se, një pjesë e mirë e fëmijëve të atyre kohërave, e mësuan biçikletën duke ngarë herë pas herë biçikletat me qira.

