Ditën e sotme është përcjellë për në banesën e fundit 14-vjeçarja që u mbyt ditën e djeshme në lumin Devoll në Berat. 14-vjeçarja Galini Karamani ishte duke u larë kur u mbyt në lumë pasi ishte duke notuar bashkë me shoqen e saj, ndërsa edhe vëllai i saj i mitur ndodhej me ta. Karamani është përcjellë mes lotësh për në banesën e fundit dhe mes personave që e shoqëronin arkë-mortin e saj ishin edhe shokët e shoqet e klasës si dhe banorë e komshinj të familjes. Galini Karamani ishte nxënëse në shkollën 9-vjeçare “Rreth Tapi” në lagjen Ferma-Partizani në qytetin e Kuçovës.
Mësuesja e Galinisë Erisilda Hoxha tregon se 14-vjeçarja ishte një vajzë me ëndrra për jetën, një vajzë që e donte dijen dhe që nuk vinte kurrë pa detyra në shkollë. Hoxha tregon se Galinia ka jetuar në kushte tejet të vështira ekonomike dhe vdekja e saj tragjike ishte shokuese për të dhe për të gjithë bashkëmoshatarët e saj.
“Ngjarjen e kam mësuar nga bashkëfshatarët, të cilët më njoftuan me telefon se çfarë kishte ndodhur. Shkova menjëherë në banesën e Galinisë dhe aty mësova se si kishte ndodhur ngjarja fatale. Mësova se Galinia së bashku me shoqet e saj dhe vëllain 12-vjeç kishte shkuar në lumë për të luajtur me top dhe pas lojës ishin futur në ujë për tu freskuar. Galinia nuk dinte not dhe u mbyt në thellësinë e lumit, ndërkohë që edhe shoqja e saj e ngushtë rrezikoi të mbytej në të njëjtën thellësi ku kishte shkuar me Galininë”, ka thënë mësuesja e viktimës 14-vjeçare Erisilda Hoxha.

