Dy mjekë të spitalit të Gjirokastrës, Dashamir Demiri gjinekolog dhe Kostandin Hido anestezist janë pezulluar nga detyra.Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër vjen disa muaj pas vdekjes së 20-vjeçares, Klea Muxhaj, në maternitetin e Gjirokastrës pas lindjes. E reja iu nënshtrua operacionit, por pas lindjes së fëmijës shfaqi probleme shëndetësore dhe fatkeqësisht nuk mundi të shpëtonte. Ngjarja ndodhi më 13 nëntor 2020 ku Klea Muxhaj nga fshati Metoq i Sarandës, humbi jetën pasi solli në jetë një fëmijë me operacion.
“Është bërë ekzekutimi i vendimit penal i Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër, për caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, Dashamir Demiri dhe Kostandin Hido, në Gjirokastër, me arsim të lartë, me profesion mjek obstetër-gjinekolog pranë maternitetit “Dhimitër Çuçi”, Gjirokastër dhe mjek anestezist-reanimator pranë sipas rajonal “Omer Nishani”, Gjirokastër, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”, njofton gjykata.
