Zvirina, pasqyra e njerëzve të punës, kulturës dhe mikpritjes

Nga Stiljan BELISHTA

Fshati Zvirinë shtrihet në pjesën veriore të territorit të Bashkisë Maliq, në një sipërfaqe prej rreth 337 ha. Gjeografikisht ai ka këto kufizime: në veri kufizohet me fshatin Velitërne, në jug me fshatin Sovjan, në lindje me fshatin Vreshtas dhe në perëndim me fshatin Pirg. Si një zonë me njerëz fisnikë, të punës, të pa-lodhur dhe me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-social, agroturizmit dhe turizmit rural, natyrës dhe mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore u përzgjedh nga qeveria shqiptare në programin kombëtar “100 fshatrat”, ku kanëm filluar tashmë punimet për asfaltimin e rrugës kryesore në këtë fshat. Ky projekt i Bashkisë Maliq, pritet të ndikojë në përmirësimin e jetesës së banorëve. Në këtë projekt përfshihen investime nëntokësore, sistemim – asfaltimi i rrugës, trotuaret dhe ndriçimi .


-Zvirina ka një distancë 147 km larg Tiranës dhe 22 km larg Korçës ose 10 km nga qyteti i Maliqit. Pozicioni gjeografik i këtij fshati bën që të ketë akses të drejtpërdrejtë me rrugën nacionale “Korçë-Tiranë”. Ka dy rrugë hyrëse për në fshat, ku njëra prej tyre është përdorur ndër vite pothuajse vetëm për qëllime bujqësore, ndërsa rruga tjetër hyrëse, prej vitesh ndodhet në gjëndje të mjeruar. Popullsia shkon në 1460 banorë, sipas zyrës së rregjistrit të gjendjes civile.

Zvirina njihet si fshat i besimit ortodoks përsa i përket popullsisë dhe shpërndarjes demografike në zonë. Si e tillë, në të gjenden edhe disa Kisha ortodokse (shtatë të tilla) të periudhave të ndryshme historike. Nga zbulimet arkeologjike ka rezultuar se ka pasur 2 ujësjellësa pasi janë gjetur tuba qeramike.

-Po perse u përzgjodh Zvirina në projektin “100 fshatrat?” Ky fshat ka një histori të kaherëshme banimi dhe kulture; mendohet se ka pasur një shkollë Greke që në shek e XII, periudhë kjo kur bota ishte nën sundimin e Principatave, pra në vitin 1110. Kjo pasuri historike dhe kulturore përbën një atraksion përsa i përket trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit pse jo edhe të turizmit në këtë zonë. Në Zvirinë mund të argëtohesh me disa festa, siç janë:


– Festa e Shën Triadhës

– Festa e Llazorëve

– Dita e Ndjesave

– Festa e Kolendrave

– Festa e Rrogeceve dhe mund të shijosh prodhimet lokale bio të mollëve cilësore, dhe nënprodukteve të saj si: komposto, oshafe, uthull molle, raki molle Fshati Zvirinë karakterizohet nga burime të shumta ujore nëntokësore, të cilat njerëzit i kanë përdorur prej vitesh për përdorime vetjake.

Gjelbërimi i fushave pjellore sidomos në periudhën e pranverës, e ben atë të duket një oaz i gjelbërt në fushën e Korçës. Kjo vjen si rezultat i punës së pa lodhur të fermerëve dhe dëshirës për një ambjent me të pastër. Përsa i përket mjedisit, karakterizohet më tepër nga bimë dhe pemë të fushës, për të cilat, njerëzit në atë fshat kujdesen. Mbizotërojnë pemët frutore, të tilla si molla (varietete të ndryshme të mollës), dardha, arra, kumbulla, ftoi, hardhitë e rrushit etj.


Zvirina është një fshat me potencial të lartë zhvillimi dhe mjaft premtues si në fushën e bujqësisë dhe frutikulturës, po ashtu dhe në atë të agro-turizmit. Si specialitet i zonës në kulinari është gatimi i pulës së fshatit me miell edhe vezë. Ju sjell në vëmendje se Zvirana është pasqyra e njerëzve të punës, kulturë dhe mikëpritjes dhe së shpejti do të shndërrohet në potencialin më të madh të zhvillimit të agro-turizmit, kulinarisë, besimit kuluror, historisë së lashtë etj.