Trafikonin dr*gë drejt Greqisë/ Në pranga avokati Joni Mosku dhe 3 të tjerë !

Katër persona, njëri prej të cilëve me profesion avokat janë arrestuar nga policia gjatë një operacioni të koduar “Restart” i finalizuar mbrëmjen e djeshme, kundër trafikut të narkotikëve në Korçë. Ata dyshohet se transportonin lëndë narkotike drejt shtetit grek me makinë. Në momentin e arrestimit iu sekuestrua 114 kg kanabis. Në pranga janë vënë Ligor Romaçka, 29 vjeç, avokati Joni Mosku, 36 vjeç, Idriz Manej, 66 vjeç dhe Albion Çiko, 21 vjeç. Policia bën me dije se gjatë aksionit në pikën kufitare të Goricës është arrestuar fillimisht avokati Mosku pasi në automjetin e tij “Opel Meriva” janë gjetur 66 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis .


Ndërkohë pas kontrollit në një magazinë në lagjen 1 në Korçë i cili ishte marrë në përdorim nga Romaçka, brenda një automjeti tip “Opel Meriva”, pa targa dhe pa dokumentacion u gjet një sasi tjetër prej 48 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një presë që shërben për paketimin e lëndës narkotike.

Nga hetimet ka rezultuar se të përfshirë në trafikun e kanabisit drejt Greqisë ishin të përfshirë edhe Idriz Menaj i cili posedonte lëndën narkotike, si dhe Albion Çiko i cili kishte kryer modifikimin e automjetit, për të fshehur lëndën narkotike. Ky i fundit në momentin e arrestimit ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 114 lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 armë sportive tip pistoletë, 4 automjete, 6 aparate celularë dhe 1 pajisje metalike (presë) e cila shërbente për paketimin e lëndës narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.


Të arrestuarit

  1. Ligor Romaçka, 29 vjeç, banues në Korçë.
  2. Joni Mosku, 36 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”).
  3. Idriz Manej, 66 vjeç, banues në Shkodër, (i dënuar më parë për veprën “Trafikimi i narkotikëve”).
  4. Albion Çiko, 21 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq