E qëlloi policia për një faturë 20 euro, ky është 16-vjeçari që humbi jetën (Foto)

16 vjecari nga komuniteti rom, që u qëllua një javë më parë nga policia greke, ndërroi jetë këtë të martë. Policia ndoqi adoleshentin, pasi ai iku pa paguar një faturë 20 euro të karburantit. Të shtënat çuan në disa ditë protestash shpesh të dhunshme në Selanik, Athinë dhe pjesë të tjera të Greqisë nga anëtarët e komunitetit rom, pavarësisht përpjekjeve të zyrtarëve të komunitetit dhe disa anëtarëve të familjes së djalit për të ruajtur qetësinë.

“Është e padrejtë që një fëmijë të largohet kështu”, tha Antonis Tasios, sekretari i komunitetit rom ku jetonte adoleshenti, duke konfirmuar vdekjen e tij. “Kemi dhimbje të madhe”.


Komuniteti rom ka denoncuar të shtënat si me motive raciste. Ndërkohë oficeri i policisë që qëlloi 16-vjecarin është pezulluar dhe ndodhet në arrest shtëpiak që nga e premtja në pritje të një vendimi gjyqësor.

Oficeri tha gjatë një dëshmie në gjykatë javën e kaluar se ai kishte qëlluar me armë sepse kishte frikë për jetën e kolegëve të tij.

Ndersa një tubim-protestë është mbajtur në Propylaia të Athinës në Greqi mbrëmjen e sotme. Sërish në këtë tubim nuk munguan incidentet. Ndërkohë që marshimi po zhvillohej, në universitetin e qytetit ka pasur përplasje. Antiautoritarët hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila u përgjigj me metodat e veta. Tension ka pasur edhe në sheshin Sintagma, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës, ndërsa incidente kanë ndodhur edhe në Stadiou.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.