Një tjetër rast është goditur në fushën e prostitucionit, këtë herë në Pogradec, ku kanë rënë në pranga 3 persona. Në pranga kanë rënë Dhoksa Dhimitri, 48-vjeçarja Ardiana Cale dhe 35-vjeçari Eduard Zelollari. Mesohet se në lokalin në pronësi të shtetases Dhoksa Dhimitri siguroheshin klientët të cilët më pas e ushtronin këtë veprimtari në një prej hoteleve në afërsi të qendrës së qytetit.
Policia bën me dije se prej 2 muajsh lokali ishte vënë nën vëzhgim dhe hetohej nga ana e uniformave blu, pasi kish të dhëna se ushtrohej prostitucion. Ditën e sotme oficerët e policisë lokale kanë ndjekur një prej klientëve nga lokali deri në hotelin ku ushtrohej aktiviteti, duke i arrestuar në kushtet e flagrancës.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, si rezultat i një hetimi dymujor, të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, kanë konstatuar dhe goditur një rast të veprimtarive të paligjshme në fushën e prostitucionit. Për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit Dh. Dh., banuese në Pogradec, A. C., 48 vjeçe, banuese në fshatin Rëmenj, Pogradec dhe E. Z., 35 vjeç, banues në fshatin Alarup, Pogradec.
Në lokalin në pronësi të shtetases Dh. Dh., 2 shtetasit e tjerë të arrestuar për këtë rast, u kapën duke ushtruar këtë veprimtari të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
