Dua të di të vërtetën për djalin tim. Më çoni te Samiu”. Këto janë fjalët që babai i Sami Macukullit tha pasi 22-vjeçari me origjinë nga Dibra u rrëzua nga një shtyllë tensioni në Itali dhe humbi jetën. Ilirjan Macukulli është i vetmi familjar që i riu shqiptar kishte në Itali dhe ai kërkon të dijë si u rrëzua djali i tij nga një lartësi prej 50 metrash në Franciacorta.
Këto janë orë jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe të vështira për komunitetin shqiptar të Caorle , por mbi të gjitha janë orë ankthi për kolegët e punës dhe miqtë e Samiut dhe babait të tij.
Samir Cela, që dikur kishte qenë edhe pronari i 22-vjeçarit Sami Macukulli thotë:
Sami ishte një djalë i denjë, i cili mendonte vetëm për të punuar, ai e donte punën e tij. Ai ende banonte në Caorle pavarësisht se punonte për një kompani në Brescia. Dëgjova se një litar u këput. Por si bëhet kjo? Këto punime në shtylla duhet të bëhen duke garantuar siguri! Ne duam të dimë gjithçka për këtë histori. Samiu ishte gati të martohej: ai meriton drejtësinë…



