Skënderbeu, veç përgatitjes së ekipit për sezonin e ri, është duke menduar edhe në lidhje me stadiumin dhe vendin ku do të zhvillohen ndeshjet pasi të nisë nga puna e ndërtimit të impiantit të ri në qytetin juglindor. Në kushte të tilla, burime në klub bëjnë me dije se ndërtimi i stadiumit pritet të fillojë në muajt e fundit të 2023-shit, maksimumi në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndaj edhe për këtë meraku i Ardjan Takajt mbetet vendi se ku do të luhen takimet e Skënderbeut për pjesën e sezonit kur stadiumi nuk do të jetë në funksion. Alternativat e Pogradecit apo stadiumeve të tjera rreth Korçës nuk janë të mirëpritura nga kreu i klubit bardhekuq, që dëshiron të ketë pranë tifozët korçarë. Burime të gazetës bëjnë me dije se një ditë më parë ka pasur një takim mes Ardjan Takajt dhe kryebashkiakut Sotiraq Filo.
Në këtë takimjanë diskutuar tema të shumta rreth futbollit korçar dhe mbi të gjitha stadiumi i ri dhe ambientet e tjera, që do të vihen në dispozicion të bardhekuqve. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, presidenti i Skënderbeut ka bërë me dije se është folur për një mundësi investimi tek aneksi stërvitor, i ndërtuar së fundmi në zonën sportive të qytetit për të plotësuar kushtet e kërkuara nga FSHF-ja.
“Po, është e vërtetë që jemi takuar me kryebashkiakun Filo dhe kemi folur për tematika të ndryshme rreth futbollit dhe sportit në tërësi. E konfirmoj se kemi biseduar mbi diçka edhe rreth stadiumit. Unë do të kërkoj të vijoj t’i luajmë ndeshjet në Korçë edhe kur stadiumi Skënderbeu të jetë në ndërtim e sipër. Ne kemi aneksin, që nga cilësia e fushës dhe përmasat i plotëson kriteret e FSHF-së. Do të bëjmë ndoshta një investim për të sjellë në gjendjene duhur edhe pjesë të tjera, sipas kërkesave të FSHF-së, që gjithçka të jetë gati. Megjithatë, është ende herët për të pasur plan konkret”, përfundoi Ardjan Takaj.

MERKATO – I pyetur edhe për merkaton dhe cilat janë lëvizjete fundit në klubin bardhekuq, presidenti ka bërë me dije se është ende herët për të zbuluar për lëvizjet në merkato, teksa gjithçka do ta bëjë zyrtare para se ekipi të fillojë përgatitjet për fazën stërvitore.
Ndërkaq, burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se janë mbyllur marrëveshjet zyrtarisht me mbrojtësin brazilian Markos Ramos dhe me korçarin Klevis Shaqe, që luante për Tomorin në sezonin e kaluar.
Ndërkaq, nga ekipi janë larguar portieri Shkëlzen Ruçi, si dhe Dritmir Beci e Uendi Vecaj. Gjithashtu gazeta ka arritur të mësojë se Skënderbeu është pranë huazimit të një portieri nga Seria C. 23-vjeçari Marko Alia, që në sezonin e shkuar ishte pjesë e Monterosit, pritet të transferohet në Korçë në formën e huazimit. Ai është rritur në akademinë e Lacios.
