Një aksident i frikshëm ka ndodhur në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, në vendin e quajtur “Ura e Mërkurit”, me gjashtë të plagosur. Automjeti me drejtues me iniciale A. S. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Gj. P. Si pasojë janë dëmtuar 3 pasagjerë në automjetin me drejtues A. S. dhe 3 të tjerë në automjetin me drejtues Gj. P., të cilët ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Siç duket edhe nga pamjet një nga makinat ka përfunduar në barrierat mbrojtëse. Sipas policisë me drejtuesit e automjeteve po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Një tjetër aksident u shënua brenda dy orësh në aksin Librazhd-Prrenjas. Drejtuesi i një mauneje ka humbur kontrollin e mjetit e për pasojë ka dalë nga rruga duke bllokuar gjysmën e saj. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, por ngarkesë të madhe në trafik kanë krijuar të dy aksidentet e sotme në këtë aks rrugor.





