Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Volos në Greqi, pasi një 50-vjeçar shqiptar ka vrarë kunatin e tij 33-vjeç, E.Pelivani po shqiptar. Siç raporton ‘Protothema’, autori ka vrarë me arme gjahu, të cilën e kishte me leje, vëllain e gruas së tij dhe më pas është dorëzuar vullnetarisht në polici, duke rrëfyer krimin. Në polici 50-vjeçari shqiptar ka deklaruar se e ka marrë vendimin për të vrarë kunatin e tij, pasi mëngjesin e së martës (9 janar), vajza e tij 18 vjeçe i ka treguar se 33-vjeçari e kishte përdhunuar, që në moshën 9-vjeçare.
Ai me lot në sy u ka thënë autoriteteve: ‘Kam vrarë njeriun që më helmoi fëmijën’
E bija 18-vjeçare, nga martesa e parë, i kishte rrëfyer Fatmir Talellarit mëngjesin e së martës (9 Janar) se 33-vjeçari Erjon Pelivani kishte abuzuar seksualisht me të që prej moshës 9 vjeçare, raportojnë mediat greke. Gjithashtu vajza, nga martesa e parë, i ka treguar të atit se kohët e fundit viktima e shantazhonte se do t’i publikonte video dhe foto intime gjatë akteve të tij, duke i kërkuar një shumë parash.
I shokuar nga rrëfimi i së bijës, Fatmir Talellari ka marrë armën e gjahut dhe ka nxjerrë justifikim për të takuar 33-vjeçarin duke i thënë se iu ishte prishuar makina dhe kishte nevojë për ndihmë.
Autori ka treguar se është takuar me vëllain e gruas së tij të dytë pranë fabrikës AGET në zonën e Volos rreth orës 19:45 të pasdites së të martës. Me të mbërritur në vendngjarje, pas një debati që ka pasur me të, autori e ka goditur 33-vjeçarin me tytën e pushkës në fytyrë dhe kur i riu ka tentuar t’ia heqë armën, e ka qëlluar për vdekje me një plumb të vetëm.
