Në xhiron e dytë të fazës në grupe vijnë emergjencat, ku nevojiten pikët si uji në shkretëtirë. Sa i përket grupit tonë, Kroacia është e detyruar të fitojë, nëse nuk dëshiron të shohë se si edhe një herë Europiani është larg pjesëmarrjeve të saj në Botëror. Shqipëria, po ashtu, kërkon surprizën për të vazhduar të ëndërrojë 1/8 finale.
Të dyja kombëtaret i kanë humbur ndeshjet e para në këtë kompeticion, respektivisht 3-0 ndaj Spanjës dhe 2-1 ndaj Italisë.
Po si vjen Kroacia në këtë përballje, që do të startojë sot, prej orës 13:00, në Hamburg?
Me një dëmtim, që përforcon fillimin e keq. Vlasic, “playmaker” i Torinos, la grumbullimin e kombëtares pas një problemi muskulor. Edhe pse nuk ishte titullar në letër, Dalic humbet një zëvendësues të rëndësishëm.
Vetë Dalic deklaroi se ekipi i tij duhet të fitojë në “Volksparkstadion” të Hamburgut për t’i mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit në grup, për të arritur në fazën e eliminimit direkt të Europianit të tretë radhazi. Borna Sosa (Ajax), Petkoviç (Dinamo Zagreb) dhe Pasalic (Atalanta) pritet të jenë risi në formacionin startues të kroatëve. Vendi i Budimir në 11-she është në rrezik.

Po Shqipëria, si vjen në duelin vendimtar me kroatët?
Ndonëse i mungoi “fuqia e zjarrit” përballë Italisë, kombëtarja kuqezi e bëri të qartë se do të garojë denjësisht në këtë kompeticion. Të besuarit e Sylvinho befasuan botën me golin e Bajramit, pas 23 sekondash lojë (më i shpejti në historinë e Europianit), në debutimin e tyre kundër kampionëve në fuqi të kontinentit, por më pas u përmbysën nga axurrët.
Ish-anësori i Barcelonës pranoi se kanë nxjerrë mësime nga ndeshja e parë e “Euro 2024”. Edhe pse nuk ka lëndime, ai mendon të bëjë ndryshime në formacionin startues, krahasuar me Italinë. Humbja ndaj Italisë, meqë ra fjala, i dha fund serisë prej 7 ndeshjesh pa disfatë të Shqipërisë në ndeshjet zyrtare.
Sytë janë te Luka Modric, i cili duhet ta ngrejë nivelin nëse dëshiron të udhëheqë Kroacinë në 1/8 finale. Mesfushori i Real Madridit nuk e përfundoi ndeshjen kundër Spanjës (as Kovacic), teksa zbuloi për mediat zyrtare të UEFA-s: “Duhet të jemi shumë më mirë, veçanërisht në aspektin fizik, nëse duan të kalojmë në turin tjetër”.
Ai, një talent i dëshmuar, që do të markohet nga afër prej kuqezinjve, do të përballet me Kristjan Asllanin për kontrollin e topit. Nga “regjisori” i ri i Interit pritet gjithashtu shumë, për t’i drejtuar kuqezinjtë drejt një surprize të këndshme.
I stërvitur në akademinë e të rinjve të Empolit, ai nënshkroi me kampionin aktual italian pas një sezoni të parë të mrekullueshëm në Serie A dhe tani është zëvendësuesi luksoz i Calhanoglu. Asllani është një futbollist me këmbën e djathtë të shkëlqyer, me goditje të fuqishme. Shquhet edhe për pasimin e gjatë.
