I uli kokën topit/ Hysaj rifiton formacionin, Sylvinho konfirmon 2 ndryshime për Spanjën

Elseid Hysaj ka rifituar kuotat për ta nisur sërish titullar ndaj Spanjës. Krahu i djathtë i Shqipërisë duket si pika e dobët deri më tani me mbrojtësin e Lazios që ka qenë protagonist në të 4 golat e pësuar të kuqezinjve. Në këtë mënyrë, kuotat për Ivan Balliun janë rritur ndjeshëm teksa u provua si titullar në stërvitjen e pardjeshme.

Por, në seancën e fundit stërvitore braziliani zgjodhi sërish Hysajn në grupin e titullarëve duke dhënë një sinjal se mund të ketë fituar balotazhin.

Megjithatë, mbetet ende gjëndja e neserme për të vënë pikat mbi ‘i’.

Ndërkohë, duken të sigurta 2 ndryshime në formacionin titullar. Ardian Ismajli pritet t’i marrë fanellën titullare Arlind Ajetit, ndërsa Armando Broja atë të Rey Manajt. Dyshja kanë qenë pjesë e grupit titullar në secilën prej seancave pas Kroacisë dhe sipas gjasave do ta nisin të tillë edhe ndaj Spanjës.

Pjesa tjetër mbetet e njëjtë me Qazim Laçin që ka bindur këdo pas performancës së fundit. Sa i pëkret Arbër Hoxhës, sulmuesi pritet ta nisë sërish nga stoli, por plani i Sylvinhos është që ta inkuadrojë më herët në pjesën e dytë. 25-vjeçari nga Istogu shkëlqeu ato minuta që luajti si ndaj Italisë, edhe kundër kroatëve, por Sylvinho e preferon hyrjen e tij nga stoli kur të jetë i freskët e kundërshtarët më të lodhur.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.