Një krim i rëndë ka ndodhur në azilin e të moshuarve në kryeqytet. Një 78-vjeçar ka goditur disa herë me bastun pas sherrit të çastit shokun e tij të dhomës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia konfirmoi ngjarjen dhe bëri me dije se viktima është një i moshuar 82-vjeçar.
Mësohet se autori i dyshuar, Zyhdi Shehu ka qenë historian, me origjinë nga Kavaja, ndërsa është autor i disa librave në këtë fushë.
Por pas problemeve me sklerozën, ai para 1 viti është dërguar në azilin e pleqve. Mësohet se ai ka qëlluar disa herë me shkop shokun e tij të dhomës, Virxhil Vesho, duke i shkaktuar atij vdekjen, pas sherrit për krevatin.
Kush është autori
Zyhdi Shehi, i lindur më 1946, është një historian dhe shkrimtar i njohur për botime dhe publicistikë historike e letrare. Madje ai vitin e kaluar është shpallur edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës, titull që iu dorëzua nga autoritetet lokale bashkiake.
Tiranë
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, arrestuan në flagrancë shtetasin Z. Sh., 78 vjeç, banues në një azil privat për të moshuarit, për veprën penale “Vrasja me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.
Ky shtetas dyshohet se, sot më datë 08.08.2024, rreth orëve të para të mëngjesit, për motive të dobëta, ka goditur disa herë me anë të një bastuni (shkop hekuri), shokun e tij të dhomës, shtetasin V. V., 82 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë.
