Historike/ Shqipëria fiton medaljen e parë në Lojërat Olimpike, mundësi Rus na bën krenar

Shqipëria ka fituar për herë të parë një medalje në Lojërat Olimpike. Debutimin tonë të parë në Lojërat Olimpike e kemi bërë në vitin e largët 1972, më pas munguam deri në vitin 1992 dhe që atëherë jemi shfaqur rregullisht. Por për nëntë edicione radhazi, nuk kemi fituar asnjë medalje. Pritjes i erdhi fundi dhe mallkimi është thyer sot. Mundësi nga Rusia që përfaqëson Shqipërinë, Chermen Valiev, ka fituar medaljen e bronzit në mundje.

Pas një humbje të pamerituar në mbrëmjen e djeshme, Valiev u kthye sot për të fituar dy takime dhe për të marrë medaljen e bronzit.

Në fund, ai u përball me mundësin nga Taxhikistani, Viktor Rasadin. Një fitore e pastër, 6-2, që më shumë i dhuron Shqipërisë historinë, pasi nga ana tjetër Valiev nuk e shijoi shumë këtë medalje pasi kërkonte të luftonte për atë të arit. Megjithatë, për fatin e keq, duhej të prisnim kaq shumë vite që medaljen e parë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike ta fitonim nga një rus.

Chermen Akhsarbekovich Valiev ka lindur më 10 dhjetor 1998 në Osetinë e Veriut në Rusi dhe aktualisht është një mundës i stilit të lirë që garon në 74 kilogramë për Shqipërinë. Që nga transferimi në Shqipëri në vitin 2024, Valiev u kualifikua për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike Verore 2024 në Paris duke u renditur i treti në Turneun Olimpik Botëror të Kualifikimit. Në dhjetë turnetë e Lojërave Olimpike që Shqipëria ka marrë pjesë, duhej një rus nga Osetia e Veriut që të natyralizohej si kuqezi, për t’i dhënë Shqipërisë medaljen e parë (e bronztë) në historinë e Olimpiadës.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.