U konfliktua me doganierin/ Transferohet shefi i stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë

Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare në Kapshticë është vendosur nën hetim disiplinor dhe është pezulluar për tre ditë nga detyra, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale që e tregonte duke u konfliktuar me një punonjës doganor. Ngjarja ka ndodhur më 6 janar 2025 dhe ka çuar në masa të menjëhershme nga ana e Policisë së Shtetit. Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar transferimin e shefit nga pika kufitare Kapshticë.

Sipas Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Korçë, punonjësi doganor i përfshirë në konflikt, identifikuar si shtetasi L.M., ka refuzuar të depozitojë një kallëzim për rastin.

Reagimi i Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë

Në lidhje me një video të postuar në rrjetin social JOQ, ku shfaqet një oficer policie duke u konfliktuar me një punonjës të doganës, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, ju sqarojmë se:

Ngjarja ka ndodhur më datën 06.01.2025, dhe menjëherë pas ngjarjes,  në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit, Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, Komisar A. A, është pezulluar  tre ditë nga detyra dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimin disiplinor.

Për të kryer një hetim sa më të plotë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar transferimin e menjëhershëm të këtij punonjësi nga Pika e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kapshticë.

Sqarojmë se shtetasi L.M (doganier) me të cilin u konfliktua Shefi i Stacionit A.A, nuk ka pranuar të bëjë kallzim. Po në lidhje me këtë rast, ka kryer veprime hetimore dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.