Një plagosje me thikë ka ndodhur pasditen e sotme në Korçë. 29-vjeçari, Kostika Ruko u paraqit në spitalin e Korçës i plagosur. Sipas informacioneve Ruko ka deklaruar se dy persona të maskuar me kapuç e kanë sulmuar pranë Liceut në lagjen nr.2. Ai ka marrë plagë në bark dhe krahë.
NJOFTIMI I PLOTË:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 17:10, shtetasi K.R., 29 vjeç, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore, dyshohet i dëmtuar me mjet prerës, thikë nga dy shtetas ende të paidetifikuar.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Kjo është plagosja e tretë me thikë që ndodh në këtë qytet brenda katër ditëve. Më 4 shkurt, Ergyst Shtylla, 40 vjeç u plagos me thikë në qendër të qytetit dhe pas dërgimit me urgjencë në spital u fut në reanimacion. Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, Konstantin Ziu, 26 vjeç është paraqitur në spital me plagë në qafë. Autorët e të dyja këtyre plagosjeve ende nuk janë identifikuar.
