Policia e Korçës ka finalizuar një operacion hetimor që çoi në zbardhjen dhe dokumentimin e pesë rasteve të vjedhjes së banesave në qytet, duke vënë në pranga autorin e dyshuar, një person i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari penale
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më herët, pas një hetimi të thelluar, identifikuan, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 38 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 38-vjeçari është autori i vjedhjes së një banese në lagjen nr. 3 të qytetit, ngjarje e ndodhur më 10 janar 2026, ku janë marrë sende të ndryshme në pronësi të shtetasit Gj. M., rezident në Greqi.
Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar se i arrestuari dyshohet të ketë kryer edhe katër vjedhje të tjera banesash në Korçë, të ndodhura më 28 shtator 2024, 20 mars 2025, 1 janar 2026 dhe 6 janar 2026. Gjatë këtyre rasteve, ai dyshohet se ka marrë bizhuteri, shuma parash, orendi dhe sende të tjera me vlerë.
Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e plotë të të gjitha rasteve, si dhe për identifikimin e ngjarjeve të tjera ku mund të jetë përfshirë 38-vjeçari, si edhe të bashkëpunëtorëve të mundshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme ligjore.
