Nga vr*sja e policit te fondet e bujqësisë/ Braçellari nën hijen e një tjetër skandali…

Pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku humbi jetën një efektiv policie gjatë një operacioni për kapjen e një të shumëkërkuari, në mediat online janë shfaqur disa pretendime për mënyrën e përfitimit të fondeve publike nga ana e të kërkuarit nga drejtësia.

Sipas këtyre raportimeve, drejtuesja e AZHBR, Ardita Kuçi, është përmendur në lidhje me pretendime se subjekte të lidhura me të dyshuarin kryesor të ngjarjes, Violand Braçellari, kanë përfituar fonde për bujqësi dhe blegtori.

Në këto raportime thuhet se Braçellari, i shpallur në kërkim për një periudhë të gjatë dhe i dyshuar për vepra të rënda penale, mund të ketë përfituar subvencione për ngritjen e stallave të bagëtive, megjithëse nuk ka konfirmim zyrtar nëse këto fonde janë marrë në emër të tij apo të familjarëve.

Gjithashtu theksohet se nuk është e qartë sesi një person i kërkuar nga autoritetet mund të ketë përfituar skema financimi publike, ndërsa ndaj tij ishin zhvilluar më herët operacione të shumta policore për kapje.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me këto akuza teksa verifikimet vijojnë.