Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka komentuar protestat e fundit qytetare, duke deklaruar se fillimisht i ka parë ato me simpati, por se sipas saj, lëvizja tashmë është larguar nga kauza fillestare. Mila tha se në fillim e kishte vlerësuar faktin që të rinjtë po protestonin për një çështje që lidhej me mjedisin dhe projektin e diskutuar në Zvërnec.
“Në fakt, në momentin e parë kur protesta nisi, jo vetëm si përfaqësuese e PS, e mazhorancës por edhe si vajzë e re në politikë, pata ndjesi të mira, e para për shkak të formatit, me pankarta simpatike, të rinj kreativë.
Nuk ndanim të njëjtën kauzë, por i vlente momentetit dhe Shqipërisë.
Isha krenare për faktin që protestohet në Shqipëri për një temë si mjedisi, për shkak të një buje që bëri një projekt i supozuar në lidhje me Zvërnecin.”
Megjithatë, deputetja socialiste tha se sot protesta ka humbur drejtimin e saj fillestar dhe se çështja për të cilën nisi është sqaruar tashmë.
“Unë sot mendoj se protesta e ka humbur busullën. Për gjërat e tjera që kanë dalë mbrapa, kam përshtypjen se është përpjekja e fundit për të rrëzuar Ramën dhe PS.
Po udhëheq Shqipërinë drejt një premtimi jo vetëm elektoral, por historik për të çuar vendin në BE. Kundrejt kësaj rruge, gjithçka është bërë, arsimi, drejtësia, por edhe të mjedisi meqë është rasti, ka patur progres, që nuk është vetëm i supozuar por edhe i matshëm. A është kjo ajo që duan shqiptarët? Edi Rama dhe PS po e çojnë vendin në BE. Ku është problemi? A ka disa situate problematike? Çështje për tu bërë më mirë? Patjetër.”
