Pas protestave, Rama shpall “Non grata” Igballe Hudutin në Shqipëri…

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka firmosur një urdhër për shpalljen e Igballe Hudutit (Berisha) si “person i padëshiruar” në Republikën e Shqipërisë për një periudhë 15-vjeçare.

Sipas informacioneve të bëra publike, vendimi është marrë mbi bazën e të dhënave dhe vlerësimeve të institucioneve përgjegjëse, të cilat e konsiderojnë veprimtarinë e saj si kërcënim për sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend.

Urdhri i ministrit i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit, si dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, të cilat do të ndjekin procedurat përkatëse.

Igballe Huduti është përmendur më herët në debatet publike për shkak të lidhjeve të pretenduara me regjimin iranian dhe për deklarata të saj që janë konsideruar si nxitëse kundër institucioneve shtetërore shqiptare. Ajo është shfaqur gjithashtu në aktivitete publike pranë ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad.

Çështja mori jehonë edhe gjatë ditës së sotme, kur kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale lidhur me pjesëmarrjen e saj në protestat e zhvilluara në Tiranë.

Në reagimin e tij, Rama publikoi fotografi të Hudutit dhe e akuzoi atë për propagandë ekstremiste, nxitje të urrejtjes dhe thirrje kundër qeverisë shqiptare.