Autobuzi del nga rruga/ 2 te vdekur e shumë të plagosur….

Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të marte në autostradën Tiranë-Durrës, pranë QTU-së, ku një autobus që transportonte pasagjerë drejt Beratit është përmbysur në anë të rrugës.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 2 persona kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur. Numri i saktë i të lënduarve ende nuk dihet.

Për shkak të përmbysjes së autobusit, disa pasagjerë kanë mbetur të bllokuar brenda mjetit. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e emergjencës, zjarrfikësit dhe forca të shumta policie, të cilat po punojnë për nxjerrjen e të bllokuarve dhe transportimin e të plagosurve drejt spitalit.

Autobusi ka përfunduar i përmbysur në kanalin anësor të autostradës, ndërsa rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Ndërkohë pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet për të konfirmuar bilancin e viktimave dhe të plagosurve.