Policia ka zbardhur rrethanat e aksidentit me pasojë vdekjen e 32-vjeçarit Amarildo Islamaj, nga Vlora, i cili humbi jetën pasi u përfshi në një aksident në aksin Pogradec-Qafë Thanë, pranë fshatit Pojskë.
Nga hetimet ka rezultuar se Islamaj kishte vjedhur automjetin vetëm pak minuta para aksidentit. Sipas policisë, ai e kishte marrë mjetin në fshatin Leshnicë, pasi e gjeti me çelësat e lënë brenda dhe u largua me të.
Pak çaste më vonë, 32-vjeçari humbi kontrollin e automjetit dhe u aksidentua rëndë. Ai u transportua në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, pronari i automjetit kishte denoncuar vjedhjen në Komisariatin e Policisë Pogradec, ndërsa hetimet konfirmuan se autor i vjedhjes ishte pikërisht Amarildo Islamaj.
