Partia në pushtet në Greqi, Demokracia e Re, u ka bërë thirrje mbështetësve të saj të dalin në protestë, pasi nëna 72-vjeçare e një prej kandidateve të partisë humbi jetën pas një sulmi me lëndë shpërthyese.
Sulmi ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës në qytetin e Selanikut, ku autorët vendosën bombola gazi të ndezura pranë tre banesave të zyrtarëve lokalë të Demokracisë së Re, duke shkaktuar shpërthime dhe zjarr.
Vagia Nestora, nëna e kandidates Afroditi Nestora, pësoi djegie në rreth 80 për qind të trupit dhe ndërroi jetë në spital pasi organet rreshtën së funksionuari. Edhe kandidatja u plagos nga djegiet, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të lënduar.
Një banor u shpreh: “U zgjova nga shpërthimi i parë i shkaktuar nga bombolat e gazit dhe dola në tarracë për të parë çfarë po ndodhte, dhe nga kishte ardhur shpërthimi. Në fillim nuk e dija nga kishte ardhur. Pashë flakë, pashë tym dhe menjëherë thirra zjarrfikësen”.
Deri më tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet, të cilat shënojnë rastin e parë në më shumë se një dekadë kur një person humbet jetën në një sulm që shënjestron politikanë në Greqi.
Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, e cilësoi ngjarjen si një sulm terrorist të koordinuar dhe deklaroi se autorët vepruan vetëm për shkak të bindjeve politike të viktimave.
Ndërkohë, Partia Demokracia e Re dhe organizata e saj rinore kanë organizuar një tubim për të nderuar viktimën dhe për të dënuar dhunën politike, duke theksuar se “terrorizmi nuk do të triumfojë”.
Hetimet po drejtohen nga njësia antiterror e policisë greke, e cila po analizon pamjet e kamerave të sigurisë, pasi dyshohet se të tre sulmet janë kryer nga i njëjti grup autorësh.
