Korça i ka dhënë këtë të diel lamtumirën e fundit aktorit të njohur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Koço Qëndro, i cili u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare. Ai lë pas një trashëgimi të çmuar në artin skenik shqiptar, me dhjetëra role të spikatura në teatër, humor dhe film.
Në përputhje me amanetin e tij, nuk u zhvilluan homazhe publike në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. Ceremonia mortore u mbajt në mënyrë private dhe të thjeshtë, vetëm në praninë e familjarëve, miqve të afërt dhe disa kolegëve të tij të ngushtë.
Ishte amaneti i tij të përcillej në banesën e fundit pa homazhe publike. Qëndro ndonëse ishte dekoruar me titullin “Mjeshtri i Madh”, ai kurrë nuk e mori pensionin special nga shteti shqiptar.
Edhe pse pa një ceremoni zyrtare, momentet e ndarjes u shoqëruan me emocione të forta. Të pranishmit e kujtuan Koço Qëndron jo vetëm si aktor të shquar, por edhe si një figurë të respektuar të qytetit të Korçës dhe një kontribuues të rëndësishëm në historinë e teatrit dhe estradës shqiptare.
