Gazetari Carlo Bollino ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në protestat qytetare, duke argumentuar se pakënaqësitë për shëndetësinë, arsimin, korrupsionin, emigracionin, çmimet, pensionet dhe funksionimin e institucioneve janë të ligjshme dhe ndahen nga një pjesë e madhe e shoqërisë.
Megjithatë, sipas tij, zgjidhja e propozuar nga organizatorët e protestës, krijimi i një “Kuvendi Kombëtar Qytetar” që do të zëvendësonte përkohësisht institucionet ekzistuese dhe do t’ia delegonte pushtetin qytetarëve, është një model i rrezikshëm, anarkik dhe jashtë kornizës kushtetuese.
Bollino thekson se ndryshimi i sistemit nuk mund të bëhet duke anashkaluar Kushtetutën, ligjet dhe votën e qytetarëve.
Sipas tij, nëse protestuesit synojnë të qeverisin apo të ndryshojnë mënyrën e drejtimit të vendit, ata duhet të organizohen politikisht dhe të kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve përmes zgjedhjeve, ashtu siç funksionon çdo demokraci.
Në përfundim, ai shprehet se protesta është një e drejtë demokratike, por legjitimiteti për të qeverisur fitohet vetëm nga verdikti i qytetarëve në kutinë e votimit, jo nga presioni i rrugës.
