Koleksionisti Gjergji Thimo ka lëshuar akuza të ashpra ndaj ish-drejtuesve lokalë të Korçës, duke përmendur me emër Niko Peleshin dhe Sotiraq Filon. Në një reagim publik, ai i cilëson ata si përgjegjës për gjendjen e qytetit dhe shpopullimin ndersa ngre pyetje lidhur me fatin e trashëgimisë kulturore.
“Kush e vodhi Muzeun ‘Vangjush Mio’?
Përgjigjuni!”, shprehet Thimo, duke deklaruar se nuk do të ndalet në denoncimet e tij.
Sipas koleksionistit, ai ka bërë prej kohësh kallëzime dhe denoncime me fakte në institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, por pretendon se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret. Ai thotë se ka identifikuar me emra persona që, sipas tij, kanë dëmtuar trashëgiminë kulturore shqiptare.
Thimo pretendon gjithashtu se atij i janë vjedhur 673 ikona të kulturës shqiptare, duke e cilësuar këtë një nga skandalet më të rënda të trashëgimisë kulturore në vend.
Në deklaratën e tij ai sulmon edhe institucionet e drejtësisë, duke i akuzuar për mosveprim. Sipas Thimos, ndërsa qytetarë të zakonshëm përballen me ndëshkime për vepra të vogla penale, zyrtarë dhe persona të lidhur me afera të mëdha korruptive apo kriminale, sipas tij, mbeten të paprekur nga ligji.
