Nje gjest simbolik shënoi mbrëmjen e sotme protestën qytetare të zhvilluar para Kryeministrisë në Tiranë, ku një studente hodhi në tokë kapelen e diplomimit, duke përcjellë një mesazh për sfidat me të cilat, sipas saj, përballet rinia shqiptare pas përfundimit të studimeve.
Protestës iu bashkuan edhe studentë nga universitete të ndryshme, të cilët marshuan së bashku me qytetarët, duke kërkuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe një sistem që, sipas tyre, garanton meritokraci dhe perspektivë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
Duke folur para protestuesve, studentja u shpreh se shumë të rinj e shohin diplomën universitare jo si një mundësi për t’u punësuar në vend, por si një mjet për të emigruar.
“Jemi lodhur që diploma të konsiderohet një pasaportë për rrugët e Europës. Nuk protestojmë kundër arsimit, por kundër një realiteti ku merita shpesh zëvendësohet nga favorizimet dhe korrupsioni. Është koha që zëri i të rinjve të dëgjohet”, deklaroi ajo.
Pas fjalës së saj, studentja hoqi kapelen e diplomimit dhe e hodhi në tokë, ndërsa protestuesit e shoqëruan gjestin me brohoritjet “Pa rini, nuk ka Shqipëri!”.Veprimi synonte të simbolizonte pakënaqësinë e revolten e një pjese të të rinjve ndaj mungesës së mundësive për punësim dhe zhvillim profesional në vend, si dhe nevojën për politika që nxisin meritokracinë dhe krijojnë perspektivë për brezin e ri.
