Momente paniku në Korçë! Makina përplas karrocën me një foshnjë 1-vjeçare

Një aksident rrugor është regjistruar këtë të martë në lagjen 10 të qytetit të Korçës, në zonën e njohur si “Dritat e Verdha”, ku një automjet ka përplasur një karrocë në të cilën ndodhej një fëmijë 1 vjeç e gjysmë.

Sipas informacioneve paraprake, nëna po kalonte rrugën së bashku me fëmijën, kur automjeti ka goditur karrocën. Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit ka reaguar menjëherë, duke transportuar vetë të miturin drejt Urgjencës së Spitalit të Korçës për të marrë ndihmën mjekësore.

Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se fëmija ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën kujdesin e mjekëve, ndërsa po kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme.

Ndërkohë, policia ka nisur procedurat ndaj drejtuesit të automjetit dhe po heton për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.