A preket bashkia juaj? Ja 15 bashkitë që PS propozon të shkrijë…

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend projektligjin për reformën e re territoriale, i cili parashikon riorganizimin e pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46. Sipas nismës, 28 bashki ekzistuese do të bashkohen për të krijuar 13 bashki të reja, me synimin për të rritur eficiencën administrative dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike.

Projektligji parashikon shkrirjen e bashkive Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, ndërsa bashki të tjera do të riorganizohen sipas hartës së re territoriale.

Modeli i propozuar ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm.

Një nga risitë kryesore të reformës është krijimi i nivelit të ri organizativ të quajtur “Qyteti”, i cili do të zëvendësojë skemën aktuale “Bashki – Njësi Administrative” me strukturën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Nëse projektligji miratohet nga Kuvendi, Shqipëria do të ketë 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, duke sjellë një organizim të ri të administrimit vendor në të gjithë territorin e vendit.