Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook për situatën ekonomike në vend, duke akuzuar qeverinë se ka krijuar një sistem ku një pakicë përfiton nga privilegjet dhe lidhjet, ndërsa shumica e shqiptarëve përballet me rritjen e kostos së jetesës.
Tabaku ngre shqetësimin për çmimet e banesave në Tiranë, qiratë dhe shpenzimet për ushqimet, duke theksuar se familjet shqiptare po përballen me një barrë gjithnjë e më të rëndë ekonomike.
“Shqipëria është kthyer në një vend ku një pakicë jeton përmes favoreve, lidhjeve dhe privilegjeve, ndërsa shumica e shqiptarëve përpiqet të mbijetojë në një sistem të padrejtë dhe abuziv.
Për një banesë standarde në Tiranë, çmimi arrin në vlerën e gati 18–20 viteve të ardhura. Jo 20 vite jetë normale, por 20 vite të ardhura të plota, sikur familja të mos kishte për të paguar ushqimin, shëndetin, shkollimin e fëmijëve apo kujdesin për prindërit.
Edhe qiraja është bërë e papërballueshme. Një familje me dy paga mesatare mund të shpenzojë rreth 40% të të ardhurave bruto dhe pothuajse gjysmën e të ardhurave neto vetëm për një apartament me qira.
Ndërkohë, ushqimet bazë zënë rreth 40% të buxhetit të konsumit të familjes shqiptare.
Atëherë, llogaritë le t’i bëjë secili:
Çfarë mbetet për kujdesin shëndetësor?
Për fëmijët?
Për prindërit e moshuar?
Për kursimet?
Apo për disa ditë pushime familjare?
Pothuajse asgjë.
Kjo është Shqipëria e socialistëve: një sistem i kapur nga ligjet, privilegjet dhe interesat e një pakice, ndërsa shumica paguan më shumë taksa, më shumë për ushqimet dhe më shumë për një çati mbi kokë.
E gjithë kjo nuk ka të bëjë aspak me një treg të lirë që drejtohet nga kërkesa dhe oferta. Përkundrazi, monopolet në çdo sektor të ekonomisë dhe ligjet me porosi, që i falin taksat një pakice ndërsa shumica dhe sidomos shtresa e mesme paguan barrën më të madhe, janë dëshmia më e qartë. Shqipëria e këtij sistemi socialist është një treg i deformuar nga informaliteti, monopolet, klientelizmi dhe mungesa e konkurrencës së ndershme.
Paratë e pista, të ardhura nga krimi i organizuar apo korrupsioni, kanë prodhuar një treg të pandershëm dhe ndërtime që po rrisin çmimet, por njëkohësisht po ndryshojnë dhe tjetërsojnë jetën në qytetin tonë.
Zgjidhja përballë kësaj situate është pikërisht zhbërja e këtij sistemi klientelist, abuziv dhe korruptiv. Zhbërja e këtij sistemi që po shkatërron të ardhurat e shqiptarëve dhe po godet në mënyrë të pamëshirshme shtresën e mesme të vendit, e cila është shtylla kurrizore e shoqërisë.
Familjet shqiptare shpenzojnë 80% të të ardhurave të tyre për ushqimet dhe qiranë. Ndërkohë, duhet të shpenzojnë vlerën e 20 viteve të ardhura për të siguruar një apartament prej 70 metrash katrorë. Ky sistem po shkatërron të ardhmen e vendit dhe po e bën gjithnjë e më të pamundur jetën e familjeve shqiptare.”, shkruan Jorida Tabaku.
