Korça po përballet me një trafik të rënduar gjatë këtyre ditëve, ku fluksi i madh i automjeteve ka sjellë kolona të gjata dhe vështirësi në qarkullim në disa prej akseve kryesore të qytetit. Një prej zonave ku situata është veçanërisht e rënduar është Rruga Fan Noli, ku automjetet lëvizin me vështirësi dhe pritjet në trafik janë kthyer në një pamje të zakonshme.
Situata rëndohet edhe më tej nga numri i madh i emigrantëve që kanë mbërritur në Korçë gjatë sezonit të verës, duke shtuar ndjeshëm numrin e automjeteve në rrugët e qytetit.
Bori, autokolona makinash dhe lëvizje me ritme shumë të ngadalta janë pamjet që shoqërojnë qarkullimin, ndërsa ngushtimi i disa segmenteve rrugore e bën edhe më të vështirë përballimin e fluksit.
Edhe zonat pranë Bulevardi Republika po përballen me ngarkesë të shtuar.
Korçarët dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë më shumë organizim të trafikut, sidomos në periudhat kur qyteti pret numër të madh vizitorësh dhe emigrantësh.
Fluksi i lartë i automjeteve gjatë sezonit turistik dhe kthimit te emigranteve nxjerr në pah nevojën për zgjidhje më efikase të qarkullimit dhe menaxhimit të trafikut.
