Mbyllet Festa e Birrës , 5 netë me muzikë, festë dhe mijëra qytetarë

Korça e Drenova i dha fund një prej aktiviteteve më të mëdha të këtij sezoni. Pas pese netësh me muzikë, atmosferë festive dhe pjesëmarrje të lartë, Festa e Birrës u mbyll mbrëmjen e së dielës, duke lënë pas një tjetër edicion të mbushur me emocione.

Gjatë ditëve të festës, Drenova u kthye në një pikë takimi për qytetarë nga Korça, zona të ndryshme të vendit, por edhe vizitorë që zgjodhën të kalonin mbrëmjet nën ritmet e muzikës dhe atmosferën karakteristike të eventit.

Në skenë u ngjitën emra të njohur të muzikës shqiptare, duke sjellë performanca të ndryshme dhe duke mbajtur gjallë atmosferën deri në orët e vona të natës por mungoi ikona e muzikes Korçare Eli Fara.

Birra, ushqimi, muzika dhe shoqëria u bënë pjesë e pandarë e pese netëve të festës, ndërsa rrugët e Drenovës u mbushën me njerëz.

Një nga pamjet që tërhoqi vëmendje ishte edhe kthimi i qytetarëve drejt Korçës në përfundim të netëve. Në orët e vona, shumë prej tyre zgjodhën të largoheshin në këmbë, duke shmangur trafikun dhe pritjet për transport.

Edicioni i këtij viti solli edhe diskutime të ndryshme, nga organizimi dhe transporti deri te zgjedhja e artistëve që u ngjitën në skenë.

Megjithatë, në fund mbetet atmosfera e krijuar gjatë këtyre netëve dhe fakti që Drenova u kthye për disa ditë në një nga qendrat kryesore të festës në juglindje të vendit.

Tashmë dritat e skenës janë fikur dhe Festa e Birrës ka përfunduar.

Drenova kthehet në qetësinë e saj, ndërsa kujtimet e pese netëve të festës mbeten pas.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.