Protesta kundër kryeministrit Edi Rama ka hyrë këtë të hënë në ditën e 79-të. Qytetarët janë mbledhur sërish në shesh, duke deklaruar se do ta vazhdojnë revoltën deri në largimin e qeverisë dhe të klasës politike që ata e konsiderojnë përgjegjëse për situatën në vend. Në protestë foli edhe Luçiana Kokaj, e cila deklaroi se pjesëmarrësit kanë treguar gjatë këtyre 79 ditëve se nuk kanë ndërmend të largohen nga sheshi.
“Në 79 ditë ju kemi treguar që jemi shqiptarë të vërtetë dhe nuk e lëshojmë këtë shesh pa shpëtuar Shqipërinë”, tha Kokaj.
Ajo iu përgjigj edhe kritikave dhe debateve që kanë shoqëruar protestën, përfshirë pretendimet se disa pjesëmarrës nuk janë lejuar të marrin fjalën.
“Thanë që u larguan flamingot dhe erdhën sorrat. Më vjen shumë keq, flamingot janë mes nesh. Shumë na kanë akuzuar se nuk janë lejuar të flasin… Por në këto 79 ditë punën më të vështirë në shesh e kanë pasur këta çuna që mundohen të sigurojnë mbarëvajtjen”, deklaroi ajo.
Kokaj theksoi se protesta nuk ka një pronar apo drejtues individual. Sipas saj, drejtimin e saj e ka çdo qytetar që beson se sistemi politik duhet të marrë fund.
“Sheshi ka një pronar dhe një drejtues dhe është çdo shqiptar që beson se këtij sistemi i ka ardhur fundi”, tha protestuesja.
Në fund, Kokaj e lidhi vazhdimin e revoltës me kërkesën për largimin e klasës politike që ka drejtuar vendin gjatë 36 viteve të fundit.
“Për një gjë jemi të sigurt, që duam të largojmë këtë kastë politike që na ka marrë peng të ardhmen”,përfundoi ajo.
