Vajza e Mirush Kabashit kandidon në Kanada/ “Im atë është udhërrëfyesi im….

Vajza e aktorit të mirënjohur shqiptar Mirush Kabashi, Mendi Kabashi, ka vendosur të marrë një rol më aktiv në jetën publike në Kanada, duke kandiduar për Këshillin Bashkiak të Mississauga-s në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 26 tetor.

Mendi Kabashi nuk vjen nga politika tradicionale dhe nuk e sheh veten si një politikane karriere. Ajo e përshkruan veten para së gjithash si një banore të komunitetit, një nënë e dy fëmijëve dhe një profesioniste që prej vitesh është marrë me menaxhimin e komuniteteve rezidenciale dhe zgjidhjen e problematikave të banorëve.

Me një eksperiencë të gjatë profesionale, Mendi ka menaxhuar komunitete të mëdha, ka administruar buxhete multimilionëshe dhe ka punuar me njerëz me prejardhje të ndryshme. Për të puna me komunitetin është ndërtuar gjithmonë mbi bashkëpunimin, përgjegjësinë dhe gjetjen e zgjidhjeve konkrete për problemet e përditshme.

Që në moshë të re ajo zgjodhi një rrugë që kërkonte disiplinë dhe përkushtim, duke ndjekur Akademinë Ushtarake Modena pasi u largua nga shtëpia në moshën 17-vjeçare. Më pas vijoi studimet në drejtësi dhe ndërtoi një karrierë profesionale në Kanada, ku përvoja e saj në menaxhimin e komuniteteve rezidenciale në Toronto e afroi gjithnjë e më shumë me problematikat dhe nevojat e qytetarëve.

Vendimi për të hyrë në politikë nuk ka ardhur rastësisht. Ideja për të kandiduar kishte nisur të merrte formë prej disa vitesh, ndërsa sot ajo po zhvillon një fushatë duke trokitur derë më derë për të takuar banorët e zonës që synon të përfaqësojë. Bëhet fjalë për një komunitet me rreth 65 mijë banorë, ku Mendi kërkon të sjellë një qasje të re në përfaqësimin politik.

Përtej angazhimit si qytetare kanadeze, identiteti shqiptar mbetet një pjesë e rëndësishme e saj. Shqipërinë dhe Kosovën i konsideron pjesë të pandashme të identitetit të saj dhe kandidaturën e sheh edhe si një mundësi për të rritur përfaqësimin e shqiptarëve në jetën publike kanadeze.

“Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time, në ADN. Kjo garë nuk është vetëm si shqiptare, por është edhe si qytetare e Kanadasë. Lidershipi aktual është prej 16 vitesh dhe ka pakënaqësi. Jeta ime është fushatë tashmë. Trokas derë më derë te banorët e kësaj lagjeje, i them lagje, por ka 65 000 banorë”, ka thënë Mendi Kabashi në një intervistë të dhënë më herët.

Në këtë rrugëtim, një vend të veçantë zë edhe figura e të atit, aktorit të ndjerë Mirush Kabashi. Trashëgimia e tij artistike dhe njerëzore duket se ka ndikuar fort në mënyrën se si Mendi e koncepton shërbimin ndaj komunitetit. Për të, i ati mbetet një udhërrëfyes edhe pse nuk është më fizikisht pranë saj.

“Im atë e përdori fjalën për t’u dhënë zë njerëzve dhe dinjitet. Unë nuk pretendoj të zëvendësoj Mirush Kabashin, por jetoj me vlerat e tij. Mirushi është absolutisht, edhe pse jo pranë meje, udhërrëfyesi im. Kjo është përjetësia”, ka thënë ndër të tjera ajo.