Një nga emisionet më të ndjekura investigative në vendin tonë, “Fiks Fare”, duket se do të pësojë ndryshime radikale këtë sezon. Top Channel ka njoftuar se dy prezantuesit e “Fiks Fare” për këtë vit do të jenë ish-banorja e “Big Brother VIP”, Olta Gixhari, dhe aktori Dorian Ramaliu, i cili më parë ka qenë moderator i këtij emisioni.
Gixhari dhe Ramaliu kanë marrë vendet e Julian Dedës dhe Xhemi Shehut, të cilët ishin moderatorët në dy vitet e fundit.
Kujtojmë se më herët, Filip Çakuli, skenarist, satirist dhe autor i emisionit më të ndjekur investigativ në Shqipëri, “Fiks Fare”, njoftoi se nuk do të jetë më pjesë e televizionit kombëtar Top Channel në sezonin e ri televiziv.
Pas 24 vitesh, njeriu i konsideruar “babai” i programit satiriko-investigativ ia ka dorëzuar stafetën Antela Likës.
“Fiks Fare” nisi transmetimin më 19 dhjetor 2002 dhe, falë besimit që themeluesi i madh i Top Medias, Dritan Hoxha, i dha Filip Çakulit, u shndërrua në një nga programet më të ndjekura në Shqipëri.
