Mendi Kabashi, vajza e aktorit të madh shqiptar Mirush Kabashi, disa ditë më parë njoftoi se është futur në politikë, pasi është në garë për një vend në Këshillin Bashkiak të Mississaugas, në Ontario të Kanadasë.
Gjatë një interviste mediatike, Kabashi u shpreh se beson se babai i saj do të ishte krenar për rrugëtimin që ka zgjedhur, ndërsa theksoi se synon të vazhdojë trashëgiminë e tij përmes shërbimit ndaj qytetarëve.
“Besoj se do të ishte krenar për mua. Dua ta vazhdoj trashëgiminë e tij duke lënë një emër të mirë, duke qenë në shërbim të qytetarëve dhe t’u shërbej me dinjitet, përulësi dhe devotshmëri, duke prekur jetët e tyre. E bëj këtë jo për një titull apo karrige, por për një qëllim më të madh se vetja ime”, tha ajo.
E pyetur për protestat në Shqipëri, Mendi Kabashi tha se aktualisht nuk e sheh veten të angazhuar në politikën shqiptare. Megjithatë, ajo u shpreh në mbështetje të së drejtës së qytetarëve për të protestuar dhe për të ngritur zërin për çështjet që i shqetësojnë.
“Jam tërësisht në mbështetje të zërit të qytetarëve, sidomos për faktin që unë për këtë kam nisur këtë rrugëtim, për ta sjellë këtu zërin e qytetarëve shqiptarë, apo kudo nga vijnë, nga çfarëdo lloj ngjyre, besimi apo background-i, domethënë më afër bashkisë. Ky është qëllimi im kryesor”, u shpreh Kabashi.
