Arratisje spektakolare nga spitali në Greqi/ 41-vjeçari nga Korça U arratis me ndihmën e shokëve “komando

Gentian Çipi, lindur në Korçë dhe banues në Dishnicë të Korçës, është i burgosuri i arratisur mbrëmjen e djeshme në mënyrë spektakolare nga spitali i Serres në Greqi. 41-vjeçari nga Korca rezulton person me precedentë të rëndë penalë në Shqipëri e në Greqi. Konkretisht ai rezulton i dënuar në Shqipëri në korrik 2024 me 2 vjet burgim për “shkatërrim i pronës me zjarr” e kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese.

Fillimisht ai ishte hetuar në masën “Arrest në burg” por më pas Gjykata e kishte zbutur masën në “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Garancia pasurore”.

Ai është akuzuar për djegien e një automjeti në 24.04.2023, në lagjen 13, Rr. “Loni Grazhdani” në Korçë. 

Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, policia procedoi Gentian Çipin për shkak se gjeti të vendosura kamera në mënyrë të paligjshme pranë banesës së tij. Në 3 shtator 2024, Gentian Çipi hapi zjarr në Pylaia të Selanikut, duke tentuar të vrasë një 25-vjeçar grek jashtë një kantine. Greku u plagos me 3 plumba por arriti t’i mbijetojë plagëve, ndërsa Cipi arriti të arratisej.

Policia greke arriti ta identifikojë Cipin dhe organizoi operacion për kapjen e tij në shtator 2025. Gjatë operacionit u arrestuan edhe Enea Basholli, 31 vjeç dhe Kleo Topa, 24 vjeç, edhe këta nga Korça. Sipas policisë greke, Gentian Cipi, rezulton kreu i një grupi kriminal që kryen trafik droge dhe veprime të dhunshme.

Gjatë operacionit për kapjen e tyre në Selanik, Çipi dhe Topa, nuk i janë bindur urdhrit të policisë, por kanë shtuar shpejtësinë e mjetit me të cilin lëviznin dhe kanë kryer manovra të rrezikshme duke përplasur një automjet të policisë. Ata kanë braktisur mjetin dhe janë larguar në këmbë, por janë kapur më pas. Pak orë më vonë, në zonën e Halkidikisë, ka rënë në pranga edhe Enea Basholli. Gjatë kontrolleve të policisë greke, janë gjetur dhe sekuestruar 1 Kallashnikov me 30 fishekë, 3 pistoleta, silenciator, rreth 31 kg marijuanë, pasaportë false, patentë false, 23 mijë e 350 euro, celularë dhe 3 automjete.

Si ndodhi arratisja e djeshme

Rreth orës 23:30 të së premtes, automjeti i transportit ndodhej në oborrin e spitalit, konkretisht jashtë repartit psikiatrik. Në atë moment, brenda furgonit ndodheshin i burgosuri dhe dy persona, të cilët i përkisnin shërbimit të jashtëm të sigurisë së burgut. Në atë çast u shfaqën bashkëpunëtorët e 41-vjeçarit me automjete që ngjanin me ato të policisë. Nga të dhënat e deritanishme nuk rezulton se autorët kishin veshur uniforma policie apo se u paraqitën si pjesëtarë të njësisë speciale të policisë greke (OPKE).

Megjithatë, një nga automjetet thuhet se ishte një Nissan Navara, i ngjashëm me automjetet që përdoren edhe nga OPKE-ja, dhe gjithashtu një dritë sinjalizuese të vogël.

Kjo bëri që shoqëruesit e të burgosurit fillimisht të mendonin se bëhej fjalë për policë. Situata ndryshoi brenda pak sekondash, kur personat që ndodheshin në automjet zbritën duke mbajtur kallashnikovë.

Nën kërcënimin e armëve, ata neutralizuan shoqëruesit dhe ndihmuan 41-vjeçarin të arratisej, ndërsa, morën edhe armën e shërbimit të një punonjësi të burgut. Më pas hipën në automjetet e tyre dhe u larguan. Në momentin e arratisjes, brenda spitalit ndodheshin edhe dy të burgosur të tjerë. Shqiptari ishte arrestuar vitin e kaluar nga efektivë të Krimit të Organizuar për tentativë vrasjeje në Selanik, pas një incidenti në një kioskë ushqimore.