Moderatori i njohur ka kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore dhe ndan mesazhin emocionues pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Bledi Strakosha ka lënë spitalin pas 12 ditësh nën kujdesin e mjekëve, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale delikate në Spitalin Amerikan 3 në Tiranë.
Moderatori i njohur ka zgjedhur të flasë për këtë periudhë përmes një mesazhi të ndjerë, ku falënderon familjen, miqtë dhe të gjithë ata që i qëndruan pranë me telefonata, mesazhe, lutje dhe fjalë të mira.
“Ka periudha në jetë që të bëjnë të ndalosh, të reflektosh dhe të kuptosh edhe më shumë se sa e çmuar është jeta dhe njerëzit që ke pranë”, shkruan Strakosha.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për ekipin mjekësor që u kujdes për të, duke falënderuar Profesor Eugen Enesin, si dhe mjeket Vojsava Leka dhe Stela Dodaj.
Strakosha nuk ka zbuluar diagnozën apo natyrën e ndërhyrjes. Ndërkohë, disa raportime për një problem të mundshëm neurologjik nuk janë konfirmuar prej tij.
“Faleminderit që ishit pranë meje, veçanërisht familjes sime. Mirënjohje nga zemra!”, përfundon moderatori, tashmë jashtë spitalit.


