“Tomi Kondakçi u rikthye, por…”/ Shkrimi që hap debatin e madh për “Serenatat Korçare”

Nga Naum Mara:

Tomi u rikthye në skenë

Rikthimi në skenë i Tomi Kondakçiut gjatë Serenights nuk më ka gëzuar vetëm mua, që jam bashkëmoshatar dhe mik i tij. Të gjithë në Korçë janë gëzuar për artistin që ka përballuar shumë sfida në jetë pa u ankuar dhe pa kërkuar kurrë atë që i takon.
Më erdhi mirë për vendimin e tij, por edhe për ata që i kanë sugjeruar të jetë pjesë e njërit nga koncertet.

Këndoi bukur në mëhallën e vjetër të Kondakçinjve ku ishte lindur dhe rritur i jati i tij, Fillota.

I dëgjova të dyja interpretimet të riorkestruara dhe për njërën jam i sigurt, që ishte krijim i tij. Me Tomin kam biseduar rreth këngës korçare më 1977 dhe po ashtu pas viteve 2000 dhe asnjëherë nuk i kishim trajtuar si “serenata”.

I përmendnim ashtu si qenë, këngë korçare, që veç atyre të Korit Lira, nuk mund të ngjiteshin në skenë sepse ishin këngë dashurie.

Nuk dua të flas në emër të tij, se nuk di se si i ka quajtur këngët e repertorit të tij në intervista pas vitit 1992. Ndoshta dhe ai është pajtuar me termin “serenata korçare”, që ndonëse i gabuar ka marrë qytetarinë tashmë.

Gabimisht kanë folur edhe njerëz me shumë kulturës si miku i babait tim Vangjush Ziko, që në një shkrim të gjatë fuste në to edhe këngët e Petro Dulës, madje edhe krijimet e Vaskë Niços (Kakamit).
Unë do vazhdoj të shkruaj kundër këtij emërtimi ndonëse mund ta kenë pranuar edhe kompozitorë si Josif Minga, gjithashtu pjesëmarrës në Serenights 2026.

Mund të më thoni të gjithë se “emri është kapistall”, por do ju përgjigjem se në një gjë të rëndësishme si Muzika nuk mund të shpikim zhanra si “serenata korçare”, që përdoret majtas, djathtas , lart e poshtë apo epitete si “mbretëresha e serenatës”, “kollosi i serenatës” apo “qyteti i serenatave”.
Në interpretimet e Tomit, të cilat ishin të vetmet , që dëgjova, pashë një përpjekje të mirë të muzikantëve organizatorë për të bërë orkestrime të reja dhe për të futur edhe vegla të frymës.

Gjithashtu futej bukur kompleksi shoqërues.

E gjallëronin shumë atmosferën. M’u duk krejt e ndryshme nga qasja ndaj këngës korçare në MIK Festival. Përzgjedhja e tyre në të dy edicionet(2025 dhe 2026) të MIK linte shumë për të dëshëruar dhe po ashtu interpretimi. Unë nuk dua të hyj në politikat e Bashkisë dhe në sherret e mundshme për “fonde” për veprimtaritë e ndryshme, por e theksoj, që Inva Mula duhet të heqë natën e këngës korçare nga MIK, ose ta trajtojë në një prizëm të natyrës lirike ose të bel kantos.

Ndoshta do i kushtojë ca lekë më shumë nga fondi që merr nga Bashkia.

Tomi u rikthye dhe kënga do e ndihmojë të kalojë edhe kufizimet e dorës dhe kënmbës për të rimarrë kitarën dhe për të kënduar jo vetëm këngët korçare, por të gjithë repertorin e tij, që ka nisur kryesisht me këngët më të mira pop europiane të viteve ‘60 dhe ‘70.
Dhe atëhere do kuptojmë më mirë se sa pranë janë atyre këngëve krijimet më të mira të Korçës dhe sa larg janë ato që po shkojnë drejt tallavave.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.