Gjykata e Korçës ka dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim ish-zv/drejtorin e Kufirit në këtë qark, Stiljan Pasho, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, në dy episode. Fillimisht, trupi gjykues e dënoi Pashon me 11 vite burgim, por për shkak të aplikimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit u ul me një të tretën, duke përfunduar në 7 vite e 4 muaj burg.
Gjatë procesit gjyqësor, ish-zyrtari i policisë pretendoi se kishte kryer vetëm veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Megjithatë, ky pretendim nuk u pranua nga gjykata.
Në të njëjtin proces, bashkëpunëtori i tij, Elton Grabocka, u dënua përfundimisht me 8 vite e 8 muaj burgim. Ndërkohë, dy personat e tjerë të përfshirë në çështje, Lorenco Lika dhe Ervin Ibi, janë hetuar dhe dënuar nga autoritetet gjyqësore greke.
Urdhra të paligjshëm në pikën kufitare të Kapshticës
Sipas hetimeve, episodet kriminale kanë ndodhur më 27 nëntor 2023 dhe 6 maj 2024, në kohën kur Stiljan Pasho mbante detyrën e zv/drejtorit të Kufirit në Qarkun e Korçës.
Nga hetimet rezultoi se Pasho dyshohet se ka shfrytëzuar pozicionin e tij zyrtar për të lehtësuar kalimin e automjeteve të ngarkuara me lëndë narkotike drejt Greqisë.
Sipas akuzës, ai shkonte personalisht në pikën kufitare të Kapshticës dhe u jepte urdhra të paligjshëm punonjësve të kontrollit doganor për të lejuar kalimin e mjeteve, duke shmangur kontrollet përkatëse.
Vendimi i Gjykatës së Korçës vjen në përfundim të procesit gjyqësor për episodet e trafikimit të lëndëve narkotike, të kryera në bashkëpunim.
