Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, 37-vjeçari Maridon Dhuli, i cili pësoi djegie të rënda pasi automjeti me të cilin udhëtonte u përfshi nga flakët në aksin rrugor Kardhiq–Delvinë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme, në vendin e quajtur “Skërficë”, ku një automjet tip “Volkswagen Touran” mori zjarr në ecje.
Si pasojë e flakëve, drejtuesi i mjetit pësoi djegie të rënda të shkallës së tretë. Në ndihmë të tij ndërhynë fillimisht kalimtarë të rastit, mes tyre edhe një qytetar nga Saranda, i cili po udhëtonte nga Tirana.
Sipas informacioneve, qytetari arriti të shuante flakët në trupin e 37-vjeçarit duke përdorur xhupin e tij. Ai gjithashtu njoftoi shërbimet mjekësore dhe ato të qarkullimit rrugor.
Pas ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës, Dhuli u transportua me ambulancë drejt Tiranës, ku do të merrte trajtim më të specializuar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 37-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Ndërkohë, për shuarjen e zjarrit në automjet ndërhyri edhe shërbimi zjarrfikës. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë.
Vdekja e 37-vjeçarit e kthen këtë aksident në një ngjarje tragjike, ndërsa pritet që hetimet të përcaktojnë se çfarë shkaktoi përfshirjen e automjetit nga flakët.
