DY SULMUES DHE NJË MESFUSHOR, JA 3 FUTBOLLISTËT QË DO FIRMOSIN ME SKËNDERBEUN

I dënuar me 10 vjet për jashtim nga Europa dhe një milion euro gjobë, si dhe në vështirësi të madhe financiare, Skënderbeu i sezonit të ri është i detyruar të mbijetojë falë një merkatoje me lojtarë që kërkojnë të afirmohen në Superiore. Fillimisht klubi duhet të zhbllokojë merkaton e më pas të bëjë federimet, por kjo nuk i ka penguar drejtuesit të pikasin disa elementë, kryesisht të rinj, të cilët prej ditësh po stërviten nën urdhrat e Julian Ahmatajt. Strategjia është e qartë, klubi kërkon të afrojë talente për t’i rritur dhe më pas synon t’i shesë në skuadra më të forta, në mënyrë që të përfitojë financiarisht.

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klub se dy afrimet e radhës janë pikërisht dy sulmues. Bëhet fjalë për Aleksandros Tereziun dhe Marios Zhelekun, të cilët pas disa ditësh në provë, kanë bindur trajnerin Ahmataj. Dy shqiptarët e lindur në Greqi nuk janë aq të panjohur.


Tereziu, një qendërsulmues tipik, është vetëm 20 vjeç dhe vjen në Korçë pas kontratës së mbyllur me Asteras Tripolis në Superligën greke. Mungesa e hapësirave te ky ekip bëri që në sezonin e fundit shtatlarti të luante me Karaiskaqis në Ligën e Dytë helene.

Tashmë ai do të provojë veten me korçarët, teksa në testin e fundit ndaj Llapit ai shënoi golin e vetëm për Skënderbeun. Tereziu është grumbulluar katër vite më parë edhe nga Kombëtarja U-17 e Greqisë. Ndërkohë, lojtari tjetër, 25- vjeçari Zheleku, ka më tepër eksperiencë.

Bëhet fjalë për një sulmues krahu që vjen nga skuadra greke, Kallamata. Ai është rritur në akademinë e Panioniosit, ndërsa ka shkëlqyer në Ligën e Dytë greke me Prodheftiqinë. Zheleku është një lojtar mjaft i shpejtë që mund t’u bëjë shumë punë bardhekuqve pas largimit të Bregut dhe Gripshit.

REMI DUJARDIN – Surpriza e merkatos së Skënderbeut quhet Remi Dujardin. Gazeta mëson ekskluzivisht se mesfushori nga Hong Kongu që u stërvit tri javë me Partizanin, ka nisur përgatitjet me korçarët dhe pritet të firmosë.

23-vjeçari iku nga “demat” prej bllokimit të merkatos, ndërsa tani pret që të federohet te Skënderbeu. Dujardin ka luajtur me ekipe si “St.Bonaventure” dhe “TriCities” në Amerikë dhe me “FC Jumilla” në Spanjë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.