Taipi:”Do të luftojmë për të kapur Europën”

Futbolli rifillon me Kupën e Shqipërisë dhe Skënderbeu nesër duhet të zbresë në fushë për të sfiduar Tomorin. Ekipi duket krejtësisht i karikuar dhe gati për të nisur me fitore këtë sezon të ri, pas një pushimi të stërgjatë. I këtij mendimi është Shqiprim Taipi, mesfushori nga Tërnoci. Ai beson se korçarët do të bëjnë mirë këtë vit, ndonëse ngjeshja e tremb jo pak. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” 23- vjeçari flet për pritjen e gjatë dhe motivimin që ka skuadra për takimin e parë të këtij edicioni.

Më në fund pritjes i erdhi fundi. Jemi të etur për të zbritur në fushë, pasi asnjëherë nuk kemi qëndruar për një kohë kaq të gjatë pa luajtur. Normalisht që diçka e tillë ka ndikuar jo pak dhe mund të them se edhe na ka lodhur, por për fat të mirë ka pasur edhe anë pozitive. Me ndryshimet e shumta që u bënë nga vjet, kishim nevojë për shumë kohë që të gjenim bashkëveprimin e duhur si ekip. Kjo besoj se ishte një plus për ne dhe ndikoi pozitivisht. Gjithsesi, tani jemi gati dhe besoj se një gjë të tillë do ta tregojmë që në ndeshjen e parë të këtij sezoni, që është për Kupën e Shqipërisë. Do të mundohemi të jemi të qartë dhe të kalojmë turin e parë që për ne është detyrim. Besoj se karikimi nuk na mungon dhe dëshira është e madhe. Do ta tregojmë një gjë të tillë ndaj Tomorit këtë të diel”, theksoi fillimisht Taipi.

Kampionati – Mesfushori bën edhe një analizë të shkurtër të kampionatit që pritet të nisë të mërkurën. Sipas tij, rivaliteti do të jetë i madh mes shumë ekipeve, pasi për momentin nuk sheh asnjë ekip si të favorizuar. Për këtë arsye Taipi fut edhe Skënderbeun në garë për një nga vendet që të çojnë në zonën “Euro”.

“Kampionati këtë vit do të jetë i luftuar dhe i rivalizuar fort pasi ekipet janë deri diku në një nivel pa shumë dallime. E them këtë pasi shumë ekipe kanë investuar dhe janë përmirësuar, por nuk shikoj pretendente për titullin, domethënë ekipe që të bëjnë diferencën në letër. Gjithsesi, është mirë që t’i shohim në fushë dhe të nxjerrim më pas konkluzionet. Edhe Skënderbeu ynë është gati për t’u bërë pjesë e ekipeve që do të luftojnë për vendet e sipërme që të çojnë në Europë. Ne duhet të marrim ndeshjet një e nga një dhe ta nisim mbarë. Plus kësaj duhet që të kemi edhe fatin me vete pasi pjesa e parë e sezonit pritet që të jetë shumë e luftuar dhe e ngjeshur me ndeshje. Nëse kalojmë me sukses fillimin e sezonit, atëherë do ta kemi më të lehtë në vazhdim”, përfundoi Shqiprim Taipi. PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.