Nga oshmari tek ëmbëlsira/Tre recetat e shkëlqyera nga kuzhina korçare

Gatimet e kuzhinës korçare janë padyshim më të spikaturat e kuzhinës shqiptare. Receta fantastike, me shije të mrekullueshme unike në përgatitjen dhe kombinimet e tyre tërheqin e kujtdo vendas ashtu si edhe turistëve të huaj. Më poshtë do të gjeni nga AgroWeb.org mënyrën e përgatitjes së Oshmarit, lakrorit me dy petë dhe ëmbëlsirës së veçantë, Paçavure.


Përgatitja E Oshmarit
Përbërësit
2 lugë gjelle gjalpë të freskët

3 lugë gjelle djathë i thërrmuar (i bardhë ose kaçkavall sipas preferencës)

2 gota uji me qumësht

1 gotë me ujë

2 filxhanë çaji me miell misri

Përgatitja
Vendosim një tenxhere në zjarr dhe shtojmë aty gjalpë të freskët. Shtojmë djathin e bardhë të thërrmuar.

Nëse do përdorni djathë kaçkavall atëherë do duhet që ta shtoni në fund të përgatitjes së oshmarit.

E kaurdisim pak dhe më pas shtojmë qumështin dhe ujin. I lëmë të ziejnë derisa të marrin valën e parë, e më pas menjëherë shtojmë miellin e misrit.

E përziejmë shpejt dhe pa ndërprerje me një lugë druri në mënyrë që të mos krijohen kokërriza. Përzihet derisa masa të shkëputet nga anët e enës.

Ndahet në pjata lugë-lugë dhe sipër i hidhet pak djathë i thërrmuar.

Nëse dëshironi, para se ta piqni plotësisht në tenxhere dhe pasi ka nisur të trashet, oshmarin mund ta fusni edhe për 15 minuta në furrë të parangrohur sa sipërfaqja të marrë një ngjyrë të kuqërremtë.


Përgatitja e Lakrorit me Hidhra
Përbërësit
1 kg hithra të freskëta

500 gr Miell

250 ml Ujë

Kripë

Vaj Ulliri

Pak gjalpë

Sodë Buke

Dy qepë të njoma (sipas preferencës)

Përgatitja e brumit dhe mbushjes me hithra
Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin.

Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.

Nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.


Brumin e përftuar, AgroËeb.org ju udhëzon që ta mbuloni me një pecetë të pastër dhe e lëreni përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisni përgatitjen e hithrave.

Skuqni qepët e grira në vaj ulliri, shtoni hithrat, të cilat më parë i kemi pastruar dhe i kemi zjerë me një valë. Kaurdisim qepët me hithrat derisa të njëtrajtësohen e më pas hedhim kripë.

I përzjejmë për dy minuta. Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës me të cilën do të përgatisim lakrorin, në një gotë të vogël mund të hedhim një lugë miell dhe ta tretim me dy lugë kos.

Këtë masë më pas e shtojmë tek hithrat dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.

Përgatitja e lakrorit me hithra
Pasi e përgatisim gjellën me hithra, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.

Brumin e ndajmë në dy pjesë, ku pjesa e sipërme duhet të jetë më e vogël se e poshtmja.

Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer njëtrajtësisht me vaj ulliri, hedhim mbushjen me hithrat në të gjithë petën që kemi shtruar më parë.

Ndërkohë, hapim petën e dytë më të madhe dhe e vendosim sipër duke i kthyer pak anët.

Në mungesë të saçit tradicional, fare mirë lakrorin mund t’a pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi lakrori është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati.


Përgatitja e Ëmbëlsirës Paçavure
Përbërësit
1 pako me peta ëmbësirash të gatshëm (i gjeni në supermarkete)

6 kokrra vezë

1 filxhan çaji me arra të thërrmuara

1 filxhan çaji me vaj ulliri

Pak gjalpë i freskët

1 filxhan çaji me kos

1 filxhan çaji me sheqer

1 lugë kafeje me sodë buke

2 pako krem karamel (i gjeni në supermarket)

Për sherbetin
800-1 kg sheqer

1 l ujë

Përgatitja
Petat e ëmbëlsirës i mbledhim rrëmujshëm dhe të rrudhosura i vendosim në një tepsi të lyer me pak gjalpë dhe i vendosim të piqen në furrë.

I lëmë në furrë për pak minuta derisa fillojnë të thahen.

Ndërkohë, AgroËeb.org ju udhëzon që në një tas të hidhni vezët, sheqerin, vajin e ullirit, kosin, sodën e bukës dhe krem karamelin.

Përziejini mirë të gjitha bashkë dhe më pas të gjithë masën hidheni mbi petët e thara në furrë. Sipër spërkatini me arrat e thërrmuara dhe futeni të piqet përreth 20-25 minuta.

Ndërkohë, përgatisni sherbetin duke zierë sheqerin me ujin derisa të jetë gati në formën e shurupit pak të trashë.

Pasi ta hiqni ëmbëlsirën nga furra lëreni të ftohet dhe sherbetin hidhjani sipër të nxehtë.

Priteni në forma katrore apo rombi dhe Paçavurja është gati për t’u servirur./AgroWeb.org

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: