Kriza e naftës /Korçari bën ‘pazar’ në Maqedoni, modifikon serbatorin e Benzit dhe…

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Korçë, pas hetimit 1-mujor, nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit, finalizuan operacionin e koduar “Siblings”. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Dh. F., 54 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen E. Ç., 48 vjeçe, banuese në Korçë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Dh. F. kontrabandonte sasi të konsiderueshme nafte nga Maqedonia, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Goricë, me një automjet tip “Benz”, të cilit i kishte modifikuar dhe zmadhuar serbatorin.


Sasinë e naftës të kontrabanduar, 54-vjeçari e transportonte në banesën e motrës së tij, shtetases E. Ç., dhe më pas e shiste te persona të tjerë. Gjatë periudhës hetimore, në banesën e kësaj shtetaseje është gjetur një sasi prej 300 litra naftë, e dyshuar e kontrabanduar.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetases E. Ç., u gjetën pajisje për prodhimin dhe përpunimin e brumit. Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo shtetase ushtronte aktivitetin e prodhimit dhe përpunimit të brumit, pa dokumentacion dhe pa licencën përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.