Krim i rëndë brenda një familje shqiptare në Itali. Mbrëmjen e së enjtes 62-vjeçari Xhaferr Uruçi qëlloi 5 herë me thikën e kuzhinës gruan e tij 56-vjeçare, Zenepen. Mes çiftit kishte grindje të vazhdueshme prej kohësh që kulmuan me një jetë të humbur. Policinë e lajmëroi djali i çiftit pasi ishte marrë në telefon nga nëna që i kërkonte ndihmë me ngashërim pasi bashkëshorti po e dhunonte.
Ai ishte xheloz dhe nuk pranonte që ajo të dilte nga shtëpia për të punuar në një dyqan peshku 500 metra më larg. Kur policia shkoi në vendin e ngjarjes ishte tepër vonë. Gruaja kishte marrë plagë të rënda në stomak, qafë dhe shpatull. Autori është arrestuar dhe është dërguar në qeli në pritje të daljes para gjykatës për masën e sigurisë.
Mediat italiane kanë publikuar dëshmi të shumta. Familjarët dhe fqinjët flasin për dhunë të vazhdueshme të bashkëshortit mbi gruan së 2 fëmijëve. “Zenepja kishte kohë që jetonte me frikë” – thotë një mik i gruas. “Ajo shpesh preferonte të qëndronte më shumë në punë sesa në shtëpi, sepse thoshte se atje kishte një grindje të vazhdueshme. Gjente pak qetësi vetëm pas banakut, apo me fëmijët dhe nipërit që i adhuronte”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.